Feja Islame është feja e lehtësimit. Allahu nuk i ngarkon robërit e Tij me përgjegjësi që i tejkalojnë mundësitë e tyre. Ky arsyetim vlen edhe për agjërimin. Të mos agjërosh muajin e Ramazanit pa pasur ndonjë arsye objektive është gjynah. Por, nëse ka arsye, atëherë agjërimi mund të mos mbahet, ose të ndërpritet dhe pas Ramazanit në mundësinë e parë më të mirë duhet të zëvendësohet. Sipas fesë islame, arsyet objektive për të mos agjëruar, ose për ta ndërprerë agjërimin e nisur janë:
1- Udhëtimi
Ai besimtar që udhëton duke përshkuar një distancë të paktën prej 90 km dhe do të qëndrojë në destinacion më pak se 15 ditë, mund të mos agjërojë, por nëse agjëron, kjo është më mirë.
2- Sëmundja
Nëse një besimtar frikësohet se agjërimi ia përkeqëson sëmundjen ose ia shtyn afatin e kurimit, atëherë ai mund të mos agjërojë. Për arsyet e mësipërme mund ta ndërpresë edhe agjërimin e nisur. Që agjërimi përkeqëson gjendjen e të sëmurit duhet konfirmimi i një mjeku besimtar. Nëse kjo mundësi nuk ekziston, atëherë agjëruesi duhet ta ndjejë thellë brenda vetes përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore gjatë agjërimit.
3- Pleqëria
Besimtarët që kanë hyrë në fazën e sëmundjes pa shërim të pleqërisë, nëse nuk mund të agjërojnë, janë të liruar nga ky obligim i prerë fetar. Besimtarët e thyer në moshë, në pamundësi të agjërimit në kohë ose kaza, duhet të japin për çdo ditë agjërimi fidje.
4- Shtatzënia ose gjidhënia
Nëse një besimtare është shtatzënë ose ka fëmijën akoma në fazën e gjirit dhe frikësohet nga dëmi që mund t’i sjellë agjërimi, mund të mos agjërojë.
5- Cikli menstrual dhe perioda e lehonës
Kur një agjëruese hyn në ciklin menstrual ose pas lindjes, në periudhën e lehonisë, duhet ta ndërpresë agjërimin.
6- Lufta
Një ushtar në luftë që i frikësohet rënies së aftësive të tij ushtarake nga agjërimi, mund ta prishë atë.
7- Në rast rreziku dhe vështirësie
Besimtari që kërcënohet se do të plagoset apo do të vritet në rast se agjëron, mund ta ndërpresë agjërimin e nisur.
8- Uria dhe etja e tejskajshme
Ai besimtar që frikësohet nga dëmi psikik ose fizik që mund t’i shkaktojë agjërimi, mund ta prishë atë.
FIDJA E AGJERIMIT
Ata që nga pleqëria ose nga një sëmundje e pashërueshme nuk agjërojnë, nuk e zëvendësojnë atë. Ato janë të detyruar t’u japin të varfërve dhe nevojtarëve një sasi të caktuar parash ose ushqimi për çdo ditë agjërimi. Ky obligim material në terminologjinë Islame quhet fidje. Shuma e fidjes është e barabartë me shumën e fitër bajramit. Fidja e një dite agjërimi është sa vlera monetare e një vakti me të cilin mund të ngopet një i varfër. Vlera monetare e fidjes mund të ndryshojë në përshtatje me mundësitë ekonomike që ka fidjedhënësi.