Haxh, është shkuarja dhe qëndrimi në Arafat dhe Tavafi i Qabes në kohën e caktuar. Haxhin e ka obligim çdo mysliman e myslimane, së paku një herë në jetën e tij, nëse ka mundësi. Ai që kryen haxhin, quhet haxhi.
Ky adhurim fizik e shpirtëror, ka një rëndësi shumë të madhe. Në të shihet vëllazërimi i vërtetë islam dhe dashuria e vërtetë që ka besimtari për Allahun (xh.sh.). Haxhin mund ta quajmë edhe kongresin e përvitshëm të myslimanëve të mbarë botës.
Para se të nisemi për haxh, duhet:
- Të pendohemi për gabimet e bëra dhe të vendosim që në të ardhmen të jemi të drejtë ndaj Allahut (xh.sh.) dhe ndaj njerëzimit, duke bërë një jetë të rregullt dhe të njerëzishme.
- Të lajmë borxhet dhe t’u kërkojmë falje e hallallëk njerëzve në përgjithësi dhe atyre që u kemi bërë padrejtësi.
- Të sigurojmë familjen materialisht, deri sa të kthehemi prej haxhit.
Haxhi ka rregulla dhe dispozita të posaçme, të cilat mund të mësohen më së miri gjatë vetë kryerjes së haxhit.
Farzet e haxhit janë:
- Veshja e ihramit (veshje e posaçme).
- Qëndrimi në Arafat (vend afër Mekës).
- Tavafi (Vizita e nderit rreth e përqark Qabes).
- Saji (Vrapimi ndërmjet dy kodrave, Safa dhe Merve).
Një ditë prej ditësh e pyetën profetin tonë Muhamed (a.s.):
– Cila është vepra më e mirë? Ai u përgjigj:
“Të besosh se Allahu është Zot dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij.”
– Po pas saj cila vepër vjen? – e pyetën përsëri.
“Xhihadi në rrugën e Allahut.” – u përgjigj profeti Muhamed.
– Po pas saj? – e pyetën për të tretën herë.
“Haxhi i pranuar nga Allahu (xh.sh.)” – u përgjigj ai. (Buhari, Haxh 4)